Rreth nesh
Moti Neser është ndërtuar nga Take Transfers & Tours SHPK, një kompani që organizon transferta dhe paketa turistike nëpër Shqipëri dhe Ballkan.
Pse e krijuam?
Kur përgatisnim paketat turistike, moti ishte pjesë e çdo vendimi: cila ditë është më e mira për të nisur drejt Thethit apo Valbonës, a ia vlen një shëtitje me varkë në Ksamil, apo çfarë rrobash t’u themi mysafirëve të marrin me vete.
Megjithatë nuk gjenim një platformë të saktë, në shqip, që të na jepte parashikimin për qytetet dhe zonat ku punonim. Prandaj vendosëm ta ndërtonim vetë, nga fillimi, dhe ta ndanim me të gjithë.
Çfarë ofron Moti Neser?
- Plotësisht falas, pa regjistrim dhe pa llogari.
- Parashikimi për sot, nesër dhe 9 ditët në vazhdim, orë pas ore, me temperaturën, reshjet, erën dhe më shumë, për mbi 330 qytete dhe zona.
- E përshtat sipas teje. Zgjidh qytetin ku banon ose atë ku do të udhëtosh. Qytetet që ke parë së fundmi i gjen menjëherë në kryefaqe, pa i kërkuar sërish.
- Të dhëna të besueshme. Parashikimi vjen nga Instituti Meteorologjik Norvegjez (MET Norway) dhe përditësohet automatikisht gjatë gjithë ditës.
Bota shqiptare në një vend
Qytetet nuk i kemi renditur sipas alfabetit, por sipas vendeve ku jetojnë më shumë shqiptarë: Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe më pas qytetet e tjera të botës. Aty janë edhe katundet arbëreshe të Italisë, si Hora e Arbëreshëvet, Ungra dhe Shën Mitri, që ruajnë gjuhën tonë prej më shumë se pesë shekujsh.
„Si është koha atje?” është shpesh pyetja e parë kur flasim me të afërmit larg. Me Moti Neser, një nënë në Korçë sheh nëse bie shi te djali në Mynih, dhe një student në Londër di nëse do të ketë diell në Prizren kur të kthehet për pushime.
Kjo është arsyeja pse e bëmë: që moti, kudo ku janë shqiptarët, të jetë vetëm një klikim larg.
Na shkruani
Ke një sugjerim, ke gjetur një gabim apo do që të shtojmë qytetin tënd? Na shkruaj në [email protected]. Çdo mesazh e lexojmë.